Skuadra “LeBron” e “NBA All Star Game” humbet një tjetër element të rëndësishëm për ndeshjen e parashikuar që të luhet më 18 shkurt.
Bëhet fjalë për Kevin Love, shok skuadre me LeBron James te Cleveland, i cili pësoi një dëmtim në dorën e majtë gjatë ndeshes së Cavaliers me Detroit, sfidë të cilën skuadra nga Ohio e humbi 114-125.
Pas ekzaminimeve mjekësore rezultoi se, Kevin Love nuk do të jetë në parket për nënkampionët e NBA-së për 6-8 javë.
Përpara Kevin Love, dy basketbollistë të tjerë të skuadrës së LeBron James u tërhoqën nga sfida e përvitshme e “NBA All Star Game”: DeMarcus Cousins i New Orleans Pelicans dhe John Wall i Washington Wizards, të dy për arsye dëmtimi.
Edicioni i këtij viti i “NBA All Star Game” ka pësuar disa ndryshime. Në parket nuk do të jenë më skuadrat e më të mirëve të Konferencës së Lindjes me Konferencës së Perëndimit, por skuadra “LeBron” dhe skuadra “Stephen”, pasi James dhe Curry rezultuan basketbollistët më të votuar, duke marrë edhe rolin e kapitenëve.
Janë pikërisht këta dy lojtarë që kanë përcaktuar formacionet titullare, duke bërë zgjedhjet e tyre, pa marrë parasysh aspak faktin se në cilën Konferencë aktivizohen ata.
Top Channel