Lionel Messi humbet penalltinë dhe Inter Miami ndëshkohet rëndë nga Nashville(VIDEO)
Inter këmbëngul në idenë e tij për të sjellë në Milano, Curtis Jones nga Liverpooli, një mesfushor që pëlqehet nga të gjithë dhe që ka një profil ndryshe, atë të një futbollisti që është në gjendje t’i shtojë mesfushës së Interit karakteristika të tjera.
Por nëse nga njëra anë, Jones flirton me zikaltrit përmes rrjeteve sociale duke bërë ‘like’ në shumë postime(i fundit ishte ai te postimi i Stones që festonte golin ndaj Betis), në anën tjetër klubi milanez duhet të gjejë një zgjidhje për situatën e Luis Henrique.
Kjo sepse vendi i Dumfries në krahun e djathtë u plotësua nga Spence që do të jetë titullar dhe braziliani nuk dëshiron të kalojë në krahun e majtë, ku për më tepër janë pikërisht Dimarco dhe Carlos Augusto. Kjo do të thotë se Luis Henrique do ta ketë të pamundur të imagjinojë që këtë sezon të ketë minutazhin e sezonit të kaluar, kur për shkak të dëmtimit të Dumfries ai u aktivizua në 43 ndeshje me Interin në të gjitha kompeticionet për një total prej 2253 minutash në fushën e lojës. Nëse largimi i brazilianit konkretizohet, për merkaton e Interit mund të krijohet një skenar interesant…i dyfishtë
Emri i Luis Henrique është ende në listën e të preferuarve të Romës. Por për momentin, drejtuesit e klubit verdhekuq janë të përqendruar në kërkimet për një futbollist më ofensiv për ta vënë nën urdhrat e Gasperinit(Mora i Portos), një prioritet që për momentin i lë thuajse pezull tratativat me Interin për ish futbollistin e Olympique Marseille.
Por një gjë është e sigurt; nëse Luis Henrique largohet, Interi do të ketë fondin e nevojshëm për të trokitur në dyert e Liverpool dhe për të bërë ofertën me shifrën e kërkuar nga The Reds për Curtis Jones. Dhe jo vetëm kaq; nuk përjashtohet mundësia as për blerjen e një futbollisti të një profili tjetër, të ngjashëm me Luis Henrique, por me një kosto të ulët, që të jetë në gjendje që të luajë si në krahë ashtu edhe për të shtuar paparashikueshmërinë në zonat më ofensive të fushës. Janë këto skenarë, dinamika të merkatos së transferimeve që në mënyrë të paevitueshme do të kishin një impakt te futbolli i vërtetë, por që për momentin mbeten të tilla, në pritje që Luis Henrique të gjejë një zgjidhje në një mënyrë apo tjetrën.
Top Channel