Cristiano Ronaldo do të varë këpucët në gozhdë? Nuk është njoftimi zyrtar, por fjalët e legjendës portugeze të futbollit në një intervistë për Vogue nuk lënë shumë vend për imagjinatë dhe interpretim dhe tingëllojnë si një deklaratë tërheqjeje nga futbolli e 41 vjeçarit.

‘Ka mundësi që ky të jetë viti im i fundit si futbollist dhe dua të lë një trashëgimi spektakolare-deklaroi Cristiano Ronaldo-e kam planifikuar të ardhmen time. Kam kaq shumë gjëra për të bërë dhe është të vështirë që të përmend një të vetme. Dhe do të doja të argëtohesha më shumë, të udhëtoja më shumë të shikoja e të luaja padel, gjë që më pëlqen shumë dhe të vazhdoj të shijoj atë që kam fituar, më saktë atë që kemi fituar. Sepse në fund të fundit kam kaluar 25 vjet me shumë sakrifica’.

Me fjalë të tjera pas një jete në nivelet më të larta, edhe për një prej futbollistëve më të mëdhenj dhe më ikonikë të çdo epoke, duket se po vjen momenti të varë këpucët në gozhdë dhe t’i dedikohet gjërave të tjera. Objektivi i fundit i Ronaldos, tashmë dihet se është që të arrijë në kuotën e 1000 golave dhe numërimi mbrapsht thotë se i mungojnë edhe 24 të tillë, teksa ka realizuar 976. Më pas do të ketë lotë, dolli dhe kujtime të një futbollisti jashtëzakonisht të madh.

Top Channel