Dy vjet më parë bashkia e Tiranës ndërmori nismën “Adopto një kopsht” nga e cila u transformuan 27 institucione për fëmijët.
Së fundmi, kësaj nisme iu bashkia edhe komuniteti shqiptar i provincës së Trentinos, të cilët kanë mbledhur fonde dhe kanë vendosur që të financojnë rindërtimin e një kopshti në Ndroq, duke krijuar kushte të denja për më të vegjëlit.
Lajmin e dha vetë kryebashkiaku Veliaj i cili gjatë takimit me përfaqësues të këtij komuniteti, vlerësoi rolin që luan komuniteti shqiptar në Itali. “Ju përshëndesim të gjithëve nga Tirana. Jemi shumë të lumtur që i gjithë komuniteti në Trentino po na ndihmon që të bëjmë disa punë shumë të bukura këtu në Tiranë. Po fillojmë me një kopsht në Ndroq dhe më vjen shumë mirë që provinca ka pranuar të na ndihmojë me këtë financim, rreth 90% të kostos dhe pjesë tjetër do bashkëpunojmë ne në Tiranë. Dua t’ju përqafoj fort, t’ju uroj shumë sukses. Jemi shumë krenarë për punën që ju bëni aty dhe kam dëgjuar fjalët më të mira edhe nga drejtuesit e provincës, se çfarë roli fantastik ka komuniteti i Trentinos”, theksoi Veliaj.
Top Channel