Ndonëse janar, plazhet e Durrësit dhe Golemit janë frekuentuar nga shumë njerëz këtë fundjavë.
Qytetarë nga Durrësi, Tirana, Lushnja, Berati e Korça, po dhe zona të tjera të vendit kanë zgjedhur bregdetin e Adriatikut për të kaluar një të diele plot diell e jod.
“Na pëlqen të bëjmë një xhiro. Fundjavën e kaloj me fëmijët, me familjen. Drekën më mirë në shtëpi, se nuk e hamë dot buzë detit”, shprehet një qytetar.
“Ne kemi lindur buzë detit … Dalim buzë detit, pimë kafen e mëngjesit dhe kur kemi mundësi dhe ndonjë drekë. Në dimër na pëlqen më shumë se në verë ka dhe pushues”.
“Marr jodin dhe ajrin e pastër. Nuk vij rregullisht. Në periudhën e dimrit vij një herë në dy javë, ndërsa në verë më shpesh”, thotë një tjetër qytetar.
“Jam nga Berati. Plazhi është më mirë në dimër se në verë. Ka më shumë qetësi. Në verë shumë turistë”.
Lojërat në rërë dhe ajri i pastër e i pasur me jod kthehen në motiv të fortë për të kaluar një ditë në plazh. Edhe pse dimër, fëmijët i gëzohen më shumë fundjavës në plazh.
Vijmë për të marr pak jod e rreze. Ajri është i pastër. Vij pothuajse çdo fundjavë. Tani në dimër preferohet mali, po me fëmijë të vegjël në det është më ngrohtë”, thotë një prind.
Kur mesdita afron, trafiku rëndohet. Restorante të shumta buzë detit kanë çelur dyert e ofrojnë shërbim dhe një menu të pasur me prodhime deti.
“Jemi buzë detit dhe peshku është ai që preferohet më shumë, i cili këtu është i freskët”, shprehet kuzhinieri i një restoranti.
Pas shëtitjeve e kafes së mëngjesit, lojërave dhe bisedave buzë detit, gjithçka mbyllet me një dreke peshku për të nisur një javë të re plot energji pozitive.
Top Channel