Zyrat e Agjencisë ndërkombëtare të Ndihmës, “Save the Children”, në Afganistan u mësynë këtë të mërkurë nga persona të armatosur, që përdorën bomba e hapën zjarr gjatë sulmit mbi kompleksin e ndodhur në Xhalalabad.
Të paktën dy persona humbën jetën e 12 të tjerë u lënduan gjatë episodit të dhunshëm. Mësohet se përplasja e armatosur mes agresorëve dhe rojeve të sigurisë së kompleksit zgjati për disa orë.
Në godinën e sulmuar mendohet të ketë pasur rreth 50 pjesëtarë të stafit. Burime nga vendngjarja thanë se, aty pranë ndodhet një shkollë fillore dhe një grup fëmijësh ishin parë të largoheshin me vrap, sapo nisën të shtënat.
Mësymja nisi në orën 9 me atë lokale, kur një kamikaz hodhi në erë një makinë të mbushur me eksploziv përpara portës kryesore, të cilën më pas, njëri prej agresorëve e ka goditur edhe me granatë.
Shteti Islamik deklaroi se ofensivën e nisën disa luftëtarë të tij. Xhalalabadi, i ndodhur në afërsi të kufirit me Pakistanin, është konsideruar prej një kohe të gjatë si fortesë e ISIS-it, luftëtarët e të cilit janë aktivë atje që prej vitit 2015.
Pas këtij incidenti, “Save the Children” ka pezulluar përkohësisht të gjitha programet e saj në Afganistan.
Top Channel