Portretet e Skënderbeut; ekspozohen gravurat e vjetra të Heroit

21/01/2018 16:07

Një itinerar muzeal krejt ndryshe nga çdo ekspozitë është çelur në Pallatin e Kongreseve, kuruar deri në detaje për përkujtimin e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar.

“Çfarë i propozohet vizitorit këtu është një kurim jashtë mase i kultivuar duke filluar që nga ndriçimi, që nga listimi i veprave. Çdo vizitor respektohet këtu, i jepet vepra në mënyrën më cilësore për ta parë, por i jepet edhe informacioni që shkon me të në një formë pak më virtuale. Pra, është nje qasje e parë me veprën nëpërmjet shqisave, nëpërmjet tiparit dhe më pas edhe një rizbulim i veprës nga informacioni që jepet nëpër ekrane”, thotë kuratori i ekspozitës, Thomas Frashëri.

Një përmbledhje e veprave nga fondet e institucioneve shtetërore më së shumti të sjella në një tjetër dritë, por ka mes tyre edhe koleksionistë privatë, të cilët sjellin vepra të pashfaqura për publikun.

“Kemi një portret të Skënderbeut, që presupozohet të jetë i shekullit të XV. Është një nga 2 kopjet e portretit të humbur të Gentile Bellini-t. Studiuesit shqiptarë kanë dashur gjithmonë ta shtien në dorë, por kjo nuk ka qenë asnjëherë e mundur. Një portret i dytë është ai i shkollës franceze, i shek.XVI i Skënderbeut, të cilin ne e shohim gjithnjë të riprodhuar në bardhezi në librat tanë të historisë, apo në muzetë tanë kombëtarë dhe për herë të parë ka qenë rasti këto ditë që të ekspozohet për publikun shqiptar për ta parë ashtu siç është në realitet”, thotë Frashëri.

Një ekspozitë për çdo moshë dhe për të gjithë familjen e hapur deri në orën 22 të së dielës, për të zbuluar historinë përmes asaj që kuratori e quan “një pasqyrë të thyer”, ku secili merr pjesët që do për të ndërtuar “Skënderbeun e tij”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA