Fundjavat dimërore në Korçë tërheqin gjithmonë shumë turistë, por këtë herë, qyteti i ftohtë juglindor pret mysafirë të rëndësishëm.
Aty po mbahet raundi i dytë i bisedimeve shqiptaro-greke, të cilat me gjasa do jenë vërtetë historike nëse arrijnë të zgjidhin pjesën më të madhe të problemeve mes dy vendeve.
Korçarët panë dje dy ministrat dhe eskortën e tyre të ndalej te Mesonjtorja e më pas në zonën e pazarit. Masat e shtuara të sigurisë nuk kanë krijuar probleme. Banorët kanë mësuar nga mediat për këtë minisamit dhe japin komentet e tyre.
Disa qindra metra larg hotelit ku po mbahet takimi, u zhvillua dhe një protestë nga familjarët e Pëllumb Mark Nikollaj, i cili në vitin 2016 humbi jetën nga dhuna në komisariatin e policisë greke.
Bashkë me ta ishin edhe aktivistë të shoqërisë civile udhëtuan nga Lezha drejt Korçës për të kërkuar që në bisedimet Bushati-Kotzias të trajtohen edhe të drejtat e shqiptarëve të dënuar.
Protesta përfundoi pa incidente nën vëzhgimin e policisë që mbajti grupin e njerëzve larg nga dy ministrat.
Top Channel