Oliver Ivanoviç, ish-kreu i Nismës Qytetare serbe “Liri, demokraci, drejtësi”, i qëlluar për vdekje me 6 plumba në gjoks dy ditë më parë ndërsa hynte në zyrën e tij në veri të Mitrovicës, u varros në Beograd në prani të familjarëve, një numri të madh qytetarësh të thjeshtë, politikanësh, atletësh e aktorësh.
“Një turmë gjigante njerëzish ishte mbledhur në varrezat e reja të kryeqytetit serb, për t’i dhënë Ivanoviçit lamtumirën e fundit”, thonë mediet serbe, të cilat shtojnë se në ceremoni mungoi presidenti Aleksandar Vuçiç, që e ka bërë të qartë nga ana tjetër se, gjatë vizitës në Kosovë do të vendosë kurorë me lule në vendin ku u ekzekutua 64-vjeçari.
Delegacionin serb në varrim e kryesonte shefja e ekzekutivit, Ana Brnabiç. Nga udhëheqësit serbë ka pasur deklarata të ashpra në drejtim të Kosovës për vrasjen e bujshme që ngjalli frikën e trazirave të reja në Kosovë.
Por telefonata mes presidentit kosovar Hashim Thaçi e atij serb Aleksandar Vuçiç është parë si shenjë e dëshirës për të shmangur përshkallëzimin e situatës dhe një rritje të tensioneve ndëretnike.
Top Channel