Për pasojat që mund të ketë vrasja e Oliver Ivanoviç në stabilitetin e Kosovës dhe bisedime e saj direkte me Serbinë, foli në edicionin qendror të lajmeve në Top Channel analisti Mentor Nazarko.
TCH: Çfarë zhvillimesh mund të ketë kjo ngjarje?
Mentor Nazarko: Ballkani është një vend ku mund të ndërtohen lehtë shumë paralele historike edhe për luftëra botërore, është i pajisur me shumë fantazi, kështu që çdo lloj skenari është i mundur. Ajo çka mund të them duke interpretuar shenjat e dukshme dhe të padukshme të lëvizjes së faktorëve politik që lidhen me Kosovën, një ngjarje si kjo, e cila mund të jetë edhe me karakter banal, do të shndërrohet në mënyrë të tillë që do të rrisë pazarin e Serbisë në bisedimet me Kosovën. Serbia e ndjen që në konjukturën aktuale ndërkombëtare e ka pozitën më të mirë se sa Kosova. Vuçiç ka bërë disa hapa relaksues kundrejt Kosovës. Për shkak të “flirtimit” të tij me Rusinë, Perëndimi është duke e marrë me të mirë. Por në bisedimet jo publike, ai duket se nuk ka marrë atë çfarë ka arritur të marrë. Për këtë arsye, ai e shfrytëzoi maksimalisht këtë që ndodhi. Ajo çfarë pritet të ndodh kundrejt Serbisë në bisedimet me Kosovën është diçka historike, e cila me siguri do të jetë një goditje e rëndë për Serbinë, pasi Bashkimi Europian nuk hedh asnjë hap përpara në negociatat me Serbinë në qoftë se nuk ka zgjidhje përfundimtare në çështjen e Kosovës. Serbia është e pa kënaqur me atë që ka marrë me planin e “Ahtisaari” dhe kërkon të marrë më shumë duke shfrytëzuar tani ngjarje si kjo e fundit, në një zonë si veriu i Kosovës në të cilën konfliktualiteti ndëretnik ka arritur nivelet më të ulëta në këto katër vjet.
TCH: Si mund të përfitojë Serbia nga kjo situatë?
Mentor Nazarko: Kosova është në një situatë relativisht të vështirë ndërkombëtare diplomatike, për shkak se ka izolim, vuan pasi qytetarët e saj nuk mund të lëvizin të lirë. Kjo është dobësi dhe është një tregues i dobësisë së shtetit. Është nën presion për shkak të fillimit nga puna të Gjykatës Speciale, e cila mund të prekë drejtues të rëndësishëm politik. I bëhet presion, megjithëse forma përfundimtare e koncesioneve që i janë bërë Serbisë është maksimale, i kërkohet të lëshojë edhe diçka tjetër. Në një situatë të tillë, Serbia përpiqet të marrë maksimumin. Serbia është duke luajtur edhe me faktin që nga aktorët më të rëndësishëm ndërkombëtar, që është SHBA, në rajon janë duke shfaqur apo duke vuajtur një lloj dualizmi ose një mungese vëmendje se çka qenë më përpara. Kosova nuk është më ajo e vitit 1999. Kosova duhej të shndërrohej në një histori suksesi në mënyrë që të kishte vëmendjen ndërkombëtare dhe në një situatë si kjo, Serbia kërkon të marrë maksimumin, me gjasa dhe ndarjen. Nga pikëpamja e efekteve të tjera brenda frontit serb, Ivanoviç, siç e përshkruajnë të gjithë analistët në Prishtinë, ishte kundër ndarjes. Ky është momenti më i rëndësishëm që kërkon të arrijë Serbia, ndarjen e Kosovës, eventualisht shkëmbimin e territoreve. Këto janë gjëra që diskutohen në takimet diplomatike të mbyllura dhe jo publikisht.
Top Channel