Duhej të ishte një grip i zakonshëm sezonal, por spitalet në Kinë janë mbushur plot dhe autoritetet e pranojnë se numri i rasteve të raportuara që prej fillimit të vitit është shumë herë më i lartë sesa ai i së njëjtës periudhë të viteve të kaluara.
Dy raunde stuhish të forta dëbore dhe temperaturat nën zero kanë ndikuar gjithashtu në acarimin e situatës. Spitali kryesor i Zhengzhousë në provincën qendrore të Henanit gëlon nga fëmijë e të rritur.
“Fëmija im është 5 vjeç e tre muaj. Situata e tij nuk po përmirësohet dhe unë druhem se, nëse i vazhdon temperatura e lartë do të ketë komplikacione të tjera”, tha një prind.
Sipas mjekëve, pjesa më e madhe e simptomave janë shumë të lehta për t’u identifikuar.
“Është e qartë se bëhet fjalë për grip, kanë ethe e këputje. Disa prej fëmijëve pak më të rritur vuajne edhe nga dhimbje muskulare e dhimbje koke”, tha Yang Ying, mjek.
Fluksi i pacientëve sa vjen e rritet, e mjaft spitale të vendit me vështirësi po i bëjnë ballë kërkesës për trajtim. Blerja e mjekimeve “Tamiflu” ka shënuar gjithashtu rritje të ndjeshme. Virusi përgjegjës për këtë epidemi nuk është parë shumë gjatë viteve të fundit, sipas ekspertëve të shëndetësisë, që shtojnë se njerëzve mund t’iu mungojnë mekanizmat e nevojshme imunitare për t’i bërë ballë shtamit në fjalë.
Top Channel