Zgjedhjet pa zgjidhje në Katalonjë, Puigdemont: Shteti spanjoll u mund

22/12/2017 11:25

Nga Brukseli, ku qëndron prej javësh në një dëbim të vetëimponuar, Presidenti i përmbysur katalanas Carles Puigdemont përshëndeti fitoren e partisë separatiste dhe humbjen e shtetit spanjoll, siç e quajti ai.

“Ky ishte një triumf për Republikën e Katalonjës”, u shpreh Puigdemont. Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy kishte shpresuar që zgjedhjet rajonale do të rikthenin stabilitetin në rajonin rebel, por rezultati i votimeve të së enjtes tregon qartë se trazirat politike janë të destinuara të vazhdojnë. Partia Konservatore Popullore e Rajoy shënoi rezultatin e saj më të keq të regjistruar ndonjëherë në Katalonjë.

“Ky është një rezultat të cilin nuk e vë dot në dyshim askush. Republika e Katalonjës fitoi, shteti spanjoll u mund, Rajoy dhe aleatët e tij humbën”, tha Puidgemont.

Partitë mbështetëse të shkëputjes siguruan një fitore shumë të ngushtë e bashkë me të dhe një maxhorancë të vogël në Asamblenë e re Rajonale. Si forca e vetme më e madhe politike nga këto zgjedhje megjithatë doli partia e qytetarëve, Ciudadanos, e cila kërkon që Katalonja të mbeten pjesë gjysmë autonome e Spanjës.

Panorama e përgjithshme post-votimit është e rrëmujshme, ndaj mbetet e paqartë për momentin se kujt do t’i jepet e drejta e krijimit të qeverisë. Madridi zyrtar vendosi sundimin e drejtpërdrejtë mbi Katalonjën dhe shpalli mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme atje, pasi lidershipi i rrëzuar katalanas shpalli pavarësinë në vazhdën e një referendumi të cilësuar nga Spanja si ilegjitim.

Top Channel