Zëdhënësi i Presidencës deklaron se Presidenti Ilir Meta nuk është konsultuar dhe as informuar paraprakisht në lidhje me qëndrimin që do të mbante Shqipëria në Asamblenë e Jashtëzakonshme të Kombeve të Bashkuara, ku u kalua rezoluta që kërkon tërheqjen e SHBA nga vendimi i njohjes së Jeruzalemit kryeqytet të Izraelit.

“Presidenti nuk është konsultuar dhe informuar paraprakisht lidhur me qëndrimin që do të mbahej ndaj kësaj çështjeje të rëndësishme, jo vetëm për politikën e jashtme të Shqipërisë, por për mbarë kombin shqiptar”, thuhet në reagimin e zëdhënësit Tedi Blushi.

Sipas asaj që publikohet në faqen zyrtare të Presidencës, kreu i shtetit e cilëson si të panevojshëm qëndrimin e Shqipërisë.

“Presidenti vlerëson se ky qëndrim dhe kjo votë kundër, tërësisht e panevojshme, nuk pasqyron një qëndrim shtetëror dhe aq më tepër një qëndrim e konsensus mbarëkombëtar. Presidenti thekson se nuk duhet të harrojmë se SHBA mbetet aleati dhe partneri më i rëndësishëm strategjik, ndaj qëndrime e vendime të tilla duhet të jenë të mirë koordinuara”, vijon reagimi.

“Populli dhe kombi shqiptar nuk e harrojnë kurrë dhe u janë mirënjohës vendimeve historike të SHBA-së lidhur me ekzistencën jetike të kombit dhe të ardhmen euro-atlantike të Shqipërisë dhe të Kosovës”, mbyll deklaratën e tij zëdhënësi Tedi Blushi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA