Treni i aksidentuar në SHBA, me sistem sigurie joaktiv

20/12/2017 13:12

Teknologjia, që detyron trenat t’i përmbahen limiteve të shpejtësisë, ishte e instaluar në trenin ekspres që u aksidentua të hënën në shtetin e Uashingtonit, por ajo nuk ishte ende aktive. Këtë e bënë të ditur hetuesit, që po merren me çështjen.

Përfaqësuesja e bordit të sigurisë për transportin kombëtar, Bella Dinh-Zarr u tha gazetarëve se sistemi i sigurisë që ngadalëson apo ndalon trenat që po lëvizin me shpejtësi, nuk ishte operativ.

Tre persona humbën jetën kur treni devijoi nga shinat me shpejtësinë e 130 km në orë, në një kthesë ku limiti i shpejtësisë ishte 50 km në orë.

Autoritetet thonë se frenat e emergjencës aktivizoheshin në mënyrë automatike, e jo nga inxhinieri. Në kabinen e drejtuesit ishte edhe një person tjetër që po trajnohej.

Bordi ka kërkuar instalimin e sistemit në të gjithë trenat që operojnë në SHBA, por siç pretendon Kongresi, ka shtyrë afatin për implementimin e legjislacionit nga fundi i vitit 2015 në fundin e vitit 2018.

Kostoja e instalimit të teknologjisë në të gjithë sistemin hekurudhor raportohet të jetë mbi 22 miliardë dollarë. Treni me 12 vagonë i “Amtrak” doli nga shinat, ndërsa po merrte kthesën në një mbikalim, në udhëtimin e tij të parë në trasenë e re mes Olimpias dhe Takomas.

Në bordin e tij gjendeshin 86 persona, përfshirë 77 pasagjerë, 7 pjesëtarë ekuipazhi dhe një teknik.

Top Channel