Paralajmërimi i Seulit: Peniani po teston koka raketore me antraks

20/12/2017 14:10

Seuli paralajmëron se Koreja e Veriut është duke kryer eksperimente me armë biologjike, për të testuar mundësinë e përdorimit të kokave raketore me antraks.

Duke cituar burime pranë shërbimeve informative koreano-jugore, gazeta japoneze “Asahi” shkruan se, qeveria amerikane është në dijeni të testeve, synimi i të cilave është të verifikojnë nëse bakteret e antraksit mund të mbijetojnë në temperaturat e larta që mbërrijnë kokat raketore gjatë lëvizjes.

Lajmi vjen në kohën kur presidenti koreano-jugor, Moon Jae-in po kërkon t’i zbusë marrëdhëniet me Kinën dhe fqinjin e tij verior problematik, përpara Lojërave Olimpike Dimërore që do të mbahen në vendin e tij në muajin shkurt.

Për këtë arsye, të martën ai la të kuptohej se ishte i përgatitur të shtynte stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Shtetet e Bashkuara, të konsideruara nga Peniani si provokim dhe përgatitje për luftë, gjë që solli dhe deklaratën e Rex Tillerson nga Ottawa se nuk ishte në dijeni të ndonjë plani për ndryshimin e datave të manovrave ushtarake.

Kina, nga ana e saj është e zemëruar nga zhvendosja e sistemit amerikan antiraketor “THAAD” në Korenë e Jugut, sepse beson që radarët e fuqishëm të tij kanë fuqinë të interceptojnë në thellësinë e territorit të saj.

Sëmundja tejet infektive e antraksit, e shkaktuar nga “Bacillus anthracis”, mund të shndërrohet në armë ushtarake përmes vendosjes së sporeve të saj në raketa apo bomba. Ato lëshohen edhe me avionë mbi sipërfaqe të gjera toke, ku sporet mund të qëndrojë të fjetura për dekada të tëra.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel