Ata të dy janë roje të Taxh Mahalit, dedikimit epik që mbreti Shah Xhahan i bëri gruas së tij të vdekur. E nga këtu fillon raporti i njeriut me pushtetin. Raporti i pushtetit me të bukurën, raporti i njeriut me të bukurën.

Nën regjinë e Altin Bashës, “Rojat e Taxhit” është premiera që vjen prej së premtes në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Në role, Gazmend Gjoka dhe Lulzim Zeqja kanë për qëllim një teatër të fuqishëm e provokues.

Regjisori Altin Basha shprehet: “Kërkon një publik shumë të kultivuar. Merret me një element thelbësor që rezonon shumë fort në shoqërinë shqiptare që është bindja e verbër ndaj liderit”.

Sfida personale e Bashës tashmë është një teatër që i imponohet publikut: “Teatri e emancipon publikun. Teatri e shtyn në një nivel të ri edukimin dhe perceptimin artistik të publikut. Publiku sigurisht ka një perceptim të vetin për teatrin. Por, artistët janë një hap më përpara. Në këtë pikë unë mendoj që kemi një detyrë. Kemi një detyrim”.

Koreografia e Gjergj Prevazit i çon këto dy aktorë në sfida psikofizike. Por, theksin ata e vendosin tek vështirësia që ka skena alternative e teatrit për të mposhtur atë institucionale.

“Është shumë e vështirë për të bërë teatër sot. Më tepër na intereson dashamirësia e njerëzve të cilët na mbështesin”, thekson aktori Gazmend Gjoka.

“Ka qenë një punë sfiduese. Kisha kaq kohe që nuk kisha një rol sfiduesë”, nënvizon Lulzim Zeqja.

Së bashku me premierën, salla qendrore e Teatrit Eksperimental do të emërtohet nga e premtja “Salla Molier”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA