Shqipëria fiton mandat në Unesco, zgjidhet në komitetin që vendos për trashëgiminë kulturore

20/06/2026 13:45

Shqipëria u zgjodh anëtare e Komitetit Ndërqeveritar për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s për periudhën 2026-2030.

Ulësja në këtë tryezë e vendos vendin tonë në një rol aktiv për mbrojtjen dhe promovimin e parimeve të Konventës 2003 të organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Ky mandat katër vjeçar sipas zëvendës/ministres së Kulturës, Lira Pipa, ndikon drejtpërdrejt në rritjen e profilit ndërkombëtar të Shqipërisë në bashkëpunimin me shtetet e tjera si dhe në vendimmarrje për të gjitha dosjet që nominohen.
Lira Pipa: Kjo do të thotë më shumë prezencë e Shqipërisë në këtë tryezë për vendimmarrje të ndryshme të lidhura me këto dosje, ofrimin e asistencave të ndryshme, vendimmarrje që lidhen me politika për trashëgiminë jomateriale. Shteti ynë nuk është thjesht një vëzhgues, por vendimmarrës në këtë tryezë’, tha zëvendës/ministrja.

Ky vendim vjen me sfida për vendin tonë, me përgjegjësinë për t’u përfaqësuar nga ekspertë të fushës, të kualifikuar për vlerësimin e dosjeve të ndryshme nga gjithë bota.
‘Ne do të punojmë, do të rrisim kapacitetet me UNESCO-n për procedurat që do të duhet të ndjekim, angazhimin me universitetet, me ekspertë për ta bërë procesin sa më të hapur dhe të përfitojmë sa më shumë në këtë katër vjeçar’, tha Pipa.
Ky anëtarësim vjen pak muaj pas nominimeve të dollisë, qeleshes, Festivalit të Gjirokastrës dhe ritet e pranverës së arbëreshëve dhe mund të nxisë më shumë procedurat për pranimin e dosjeve në UNESCO.
Zvendësministrja Pipa nënvizoi ndër të tjera: Ne synojmë që deri në 2030, te kemi dosje të reja që të nominohen dhe të bëhen pjesë e listës përfaqësuese sepse është një prestigj tjetër kur një praktikë njihet nga UNESCO’.

Krahas përfitime nga ky anëtarësim, për institucioneve tona mbetet prioritet mbrojtja e trashëgimisë kulturore duke adresuar ndikimet e ndryshimeve klimatike, mbështetja e diversitetit të shprehjeve kulturore apo transformimi digjital.

Top Channel