Shqipëria në tryezën e UNESCO-s, anëtare e Komitetit për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale

17/06/2026 20:50

Shqipëria u zgjodh sot anëtare e Komitetit Ndërqeveritar për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale të UNESCO për mandatin 2026–2030.

Në një postim në Instagram kryeministri Rama shkruan: “Lajm i mirë nga Parisi, me 73 vota në favor, vendi ynë ka fituar besimin e komunitetit ndërkombëtar për të marrë një rol aktiv në forumin më të rëndësishëm global për vendimmarrje në mbrojtjen, promovimin dhe rritjen e kapaciteteve të trashëgimisë kulturore jomateriale.”

Postimi i Kryeministrit Rama në Instagram:

Shqipëria zgjidhet anëtare e Komitetit Ndërqeveritar për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale të UNESCO për mandatin 2026–2030.

Me 73 vota në favor, vendi ynë ka fituar besimin e komunitetit ndërkombëtar për të marrë një rol aktiv në forumin më të rëndësishëm global për vendimmarrje në mbrojtjen, promovimin dhe rritjen e kapaciteteve të trashëgimisë kulturore jomateriale.

Ky është një moment krenarie për Shqipërinë dhe një vlerësim i punës së institucioneve tona, ekspertëve, komuniteteve bartëse të trashëgimisë dhe partnerëve ndërkombëtarë që kanë kontribuar ndër vite në ruajtjen dhe promovimin e pasurisë tonë shpirtërore.

Shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për të gjitha shtetet që mbështetën kandidaturën e Shqipërisë dhe na besuan këtë mandat katërvjeçar. Ky besim është një përgjegjësi e madhe, të cilën do ta ushtrojmë me përkushtim, profesionalizëm dhe në frymën e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Si anëtare e Komitetit Ndërqeveritar, Shqipëria do të kontribuojë aktivisht në mbrojtjen dhe promovimin e parimeve të Konventës 2003 të UNESCO-s për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale.

Top Channel