Festivali i Kitarës mbyllet me koncertin e artisteve spanjolle, për një muaj shërbeu si platformë për promovimin e kitarës klasike

21/06/2026 15:13

Festivali Ndërkombëtar i Kitarës u finalizua me koncertin përmbyllës nga dy kitaristët spanjolle Paola Requena dhe Isabel Martinez.

Publiku në sallën “Tonin Harapi” mirëpriti me duartrokitje interpretimin e tyre elegant, virtuoz dhe plot ngjyra.

Programi artistik solli një repertor të pasur, me fokus te muzika andalusiane dhe atmosfera karakteristike e traditës muzikore spanjolle.

Isabel Martinez, kitariste shprehet “Jemi shumë të entuziazmuara për këtë koncert. Jemi ndjerë si në shtëpi, njerëzit ishin shumë të dashur, na bënë të ndihemi shumë mirë sonte”.

Për një muaj me radhë, Festivali i Kitarës solli në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë artistë të njohur ndërkombëtarë, koncerte, masterclass-e dhe aktivitete të ndryshme artistike, duke e vendosur vendin tonë në hartën e festivaleve të rëndësishme evropiane të kitarës.

Ky edicion i dhjetë i Festivalit të Kitarës ka pasur disa artistë të jashtëzakonshëm. Kemi udhëtuar në disa qytete duke përhapur traditën e kitarës klasike”, u shpreh Deniz Bizhga.

Ky edicion jubilar shërbeu si një platformë e rëndësishme për promovimin e kitarës klasike, shkëmbimin kulturor ndërkombëtar dhe prezantimin e artistëve të shquar nga skena botërore në Shqipëri.

Top Channel