Moti i keq me reshje të dendura shiu ka përfshirë të gjithë Ballkanin, me Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë, që po përballen me përmbytje të rënda.
Në Kosovë, meteorologët parashikojnë reshje shiu dhe temperatura nga 0 në 5 gradë Celsius, ndërsa të dielën priten edhe reshje bore.
Si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm janë regjistruar probleme në lumin e Mirushës dhe liqenin me të njëjtin emër në Malishevë. Ura mbi liqen është mbuluar nga uji dhe është bërë e pakalueshme. Po ashtu segmentet e autostradës Prishtinë-Shkup, ku po punohet, janë përmbytur nga reshjet e dendura, duke bërë që pajisjet dhe automjetet e kompanisë përgjegjëse për këto punime të mbulohen nga uji.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, ndërkohë, ka aktivizuar mekanizmat e emergjencave, për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.
Ndërsa në Maqedoni, reshjet e dendura të shiut kanë prekur zonat si Mavrova, Tetova dhe Dibra. Në Mavrovë janë regjistruar 130 mililitra shi për metër katror, ndërsa në Strugë, zona e Tefericit është mbuluar nga uji, duke bërë që banorët të kërkojnë ndihmë nga autoritetet.
Si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut, një pjesë e lumit Vardar në kryeqytetin e vendit, Shkup, ka dalë nga shtrati, pikërisht në pjesën e shëtitores pranë qeverisë.
Kryeparlamentari i Shkupit, Petre Shilegov tha se situata është nën kontroll dhe janë marrë masat e nevojshme. Në rajonin e Shkupit, reshjet kanë filluar që të enjten, duke shkaktuar probleme në rrugët e disa lagjeve të qytetit. Në Çair, qarkullimi është vështirësuar shumë, si pasojë e mbushjes me ujë të rrugëve.
Top Channel