Numri i myslimanëve në Europë parashikohet të rritet nga mbi 25 milionë në vitin 2016, në 35-75 milionë deri në vitin 2050.
Në proporcion me popullatën totale të kontinentit, kjo përfaqëson një rritje prej rreth 5 për qind, në një shifër që varion nga 7.5 në 14 për qind.
Instituti i Kërkimeve “Pew” me bazë në Uashington, në një analizë të tij nënvizon se popullata myslimane e Europës po rritet me ritme rekord, kjo si pasojë e fluksit të atyre që i janë larguar konflikteve në Siri dhe vende të tjera më shumicë myslimane, në vitet e fundit, gjë që ka ndezur debatin për emigracionin dhe politikat e sigurisë.
Studimi mbulon 28 shtete të BE-së, përfshirë Britaninë e Madhe, Norvegjinë dhe Zvicrën. Përllogaritja mbështetet në analizat e vet institutit, por edhe në të dhënat e regjistrimit të popullsisë dhe burime të tjera.
Instituti pranon se popullata myslimane e Europës është e shumëllojshme, me shkallë të ndryshme angazhimi fetar dhe besimi, por këto faktorë nuk kanë qenë në vëmendjen e studimit.
Qipro duket se ka përqindjen më të madhe të myslimanëve në BE, me 25.4 për qind, kjo kryesisht për shkak të komunitetit turko-qipriot në veri të ishullit. Në kontrast, popullatat myslimane prej më pak se 10 mijë banorësh i bëjnë Poloninë dhe vendet baltike të zënë vendet e fundit në klasifikim.
Sipas raportit, Gjermania është destinacion kryesor për refugjatët myslimanë nga viti 2010 deri në 2016-n, ndërsa Britania e Madhe ka pranuar numrin më të lartë të emigrantëve të rregullt myslimanë. Popullata myslimane e Europës do të rritet, pavarësisht niveleve të emigracionit, ndërsa jomyslimanët e Europës, sipas raportit, pritet të tkurren ose të rriten në mënyrë modeste.
Top Channel