Atentatet me bomba, prej 2013-s, 15 raste në Vlorë

29/11/2017 15:35

Nga 2013-a, grupet kriminale në qytetin e Vlorës kanë përdorur eksplozivin në 15 raste për të larë hesapet me kundërshtarët dhe jo vetëm.

Sipas burimeve pas këtij qyteti i njëjti mekanizëm krimi është shqetësues edhe në Durrës dhe Tiranë. Por siç tregojnë të dhënat e policisë së qytetit të Vlorës nga viti 2013 në 11 raste lënda shpërthyese është përdorur për shkatërrim pronë kryesisht në lokale, banesa dhe makina që ju përkasin ose biznesmenëve ose personave me detyra shtetërore sikurse ishte shkatërrimi me eksploziv i automjetit të Prokurorit të Vlorës, Dorian Tafili.

Hetuesit kanë dyshime se shumica e këtyre episodeve në Vlorë kanë lidhje me dërgimin e një mesazhi për të trembur shënjestrën, por edhe per gjobëvenie të vendosura dhe që nuk denoncohen. Në katër raste për të njëjtën periudhë tritoli dhe C4 janë instaluar në automjete duke gjymtuar objektivin, ose duke e lënë të vrarë atë si në rastin e Isuf Kokës, një personazh i njohur në fushën e narkotikëve.

Sipas të dhënave të policisë shpërthimi i telekomanduar është përdorur në këtë qytet edhe ndaj Fredo Berberit, me detyrë kryetar Komune. Makina e tij shpërtheu në lëvizje ndërsa ai ngeli i plagosur. Edhe ndërtuesi Ermal Bajramaj u plagos gjithashtu teksa po udhëtonte me makinën që shpërtheu.

Asnjëra nga këto ngjarje nuk është zbardhur, sepse të gjithë atyre që u janë dëmtuar pronat ose janë plagosur kanë heshtur.

Por ngjarja me tronditëse në qytetin e Vlorës është ajo e vrasjes së telekomanduar të gjyqtarit Skerdilajd Konomi në shtator 2011, një krim që po hetohet për dyshimet se gjyqtari u vra për shkak të detyrës dhe që ende nuk dihet se kush janë vrasësit dhe kush janë porositësit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA