Bashkimi Evropian gjithnjë e më shumë është i gatshëm të shqyrtojë anëtarësimin në bllok të shteteve të Ballkanit Perëndimor, çka do të ndihmonte në garantimin e paqes në rajon duke pasuruar vetë BE-në, tha komisioneri evropian për zgjerimin, Johannes Hahn.
Ai foli për mediat para një takimi të ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian në Bruksel. Ka më shumë gatishmëri brenda shteteve anëtare për të adresuar zgjerimin”, tha Hahn për të përditshmen austriake, Wiener Zeitung. Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia janë zyrtarisht kandidate për anëtarësim në BE, ndërsa Kosova dhe Bosnja po kërkojnë të njëjtin status.
BE-ja e sheh rajonin të rëndësishëm për çështjet si kontrollimi i migrimit dhe luftimi i kërcënimeve të sigurisë që variojnë që nga ndikimi i rusisë e deri tek islami radikal. “Vendet anëtare e kanë kuptuar se paqja mund të arrihet në Ballkan dhe se perspektiva e anëtarësimit në BE është jetike për të”, tha Hahn.
Ballkani Perëndimor dhe 20 milionë banorët e tij, që kërkojnë prosperitet, janë një treg shumë tërheqës për bllokun, shtoi Hahn, duke nënvizuar se një shtet i ri anëtar i bllokut nuk është një peshë, por një pasuri.
Komisioneri tha se nuk mbështeste idenë e një Europe me disa shpejtësi pasi kjo do të bënte që vendet anëtare të përcaheshin. Sipas tij, duhet të bëhen të gjitha përpjekjet e mundshme për t’u mundësuar shteteve më të dobëta, të arrijnë fuqinë e Bashkimit Europian.
Top Channel