E ardhmja e Pierre Emerick Aubameyang duket se është larg Borusias së Dortmundit. E përditshmja gjermane ‘Bild’ flet për një largim të mundshëm të sulmuesit nga Gaboni, që në muajin janar dhe kjo për shkak të tensioneve të shfaqura së fundmi në raportet mes futbollistit dhe klubit verdhezi.
Drejtuesit e Borussia Dortmund përpara disa ditësh vendosën të pezullojnë Aubameyang për shkak të vonesave të tij të njëpasnjëshme në seancat stërvitore. Ky vendim nuk është pritur aspak mirë nga Aubameyang, i cili e ka konsideruar atë të papranueshem, duke kërkuar edhe largimin nga verdhezinjtë.
Gjithnjë sipas ‘Bild’, kjo situatë e re e krijuar në ambientet e Borusias së Dortmundit, ka shtyrë drejtuesit e kësaj të fundit të vendosin edhe një çmim për kartonin e Aubameyang, që kap vlerën e 60 milionë eurove.
Tani pritet vetëm reagimi nga klubet e interesuara për shërbimin e sulmuesit nga Gaboni, mes të cilave deri përpara disa javësh ishte edhe Reali i Madridit.
Top Channel