Princi saudit akuzon: Kreu i Iranit, Hitler i ri

24/11/2017 14:20

Princi saudit i kurorës e quajti udhëheqësin suprem të Iranit, “Hitlerin” e ri të Lindjes së Mesme, ndërsa tensionet mes dy superfuqive rajonale rriten nga dita në ditë.

Duke iu referuar fuqisë në rritje të Iranit, trashëgimtari i fronit saudit, Mohammed bin Salman tha se është shumë e rëndësishme që në Lindjen e Mesme të mos lejohet të përsëritet ajo që ndodhi në Europë.

Arabia Saudite dhe Irani janë rivalë të fortë dhe akuzojnë njëri-tjetrin se nxisin destabilizimin e rajonit.

Në një intervistë për “New York Times”, princi Mohammed bin Salman, kreu “de facto” i Arabisë Saudite, tha se Irani s’mund të lejohet që të përhapë ndikimin e tij.

“Nga Europa mësuam se tolerimi nuk funksionon. Nuk duam që Hitleri i ri në Iran të përsërisë në Lindjen e Mesme atë që ndodhi në Europë”, deklaroi princi Salman, duke iu referuar kreut shpirtëror të Iranit, Ajatollahut Ali Khamenei.

Gjatë dy viteve të fundit, ndërsa pushteti i princit është rritur ndjeshëm në përgatitje për të marrë fronin, ai është treguar shumë i ashpër ndaj Iranit. Në fillim të këtij muaji, princi akuzoi Iranin për “akt lufte”, duke e fajësuar për sulmin me raketë që rebelët në Jemen kryen ndaj kryeqytetit saudit.

Veç Jemenit dhe Sirisë, ku mbështesin palë të ndryshme, Arabia Saudite dhe Irani përballen edhe në Liban, ku Rijadi mbështet kryeministrin Saad Hariri, ndërsa Teherani lëvizjen Hezbollah.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA