Sulmi me 12 të vrarë në Sydney, Netanyahu sulmon kryeministrin australian: I thashë se qeveria e tij po i hedh benzinë zjarrit të antisemitizmit
Michael Flynn, dikur një nga njerëzit më të afërt të Donald Trump, ka vendosur që të mos flasë më me presidentin amerikan, për hetimin që po zhvillohet për ndërhyrjen e pretenduar ruse në zgjedhjet amerikane.
Më teknikisht, një avokat i ish-këshilltarit kombëtar për Sigurinë, Flynn, i tha ekipit ligjor të presidentit Trump se nuk do të komunikojnë më me ta për hetimin e prokurorit special, Robert Mueller.
Ky vendim, sipas ekspertëve mund të jetë një shenjë se Flynn do të bashkëpunojë me hetimin e Mueller, ose do të negociojë një marrëveshje për veten.
Vendimi i Flynn iu komunikua ekipit ligjor të presidentit këtë javë, sipas Associated Press, që konfirmon lajmin e “New York Times” që raportoi e para për këtë zhvillim.
Në hetimet e mëdha kriminale, avokatët mbrojtës ndajnë informacione më njeri-tjetrin, por ky shkëmbim bëhet jo etik, nëse një nga të dyshuarit përpiqet të bëjë një marrëveshje me prokurorët.
Avokatët e Flynn dhe djalit të tij, Michael Flynn Junior, i cili së fundmi është bërë objektiv i hetimit, nuk pranuan që të bëjnë komente për raportimet në medie.
Flynn u detyrua të japë dorëheqjen në shkurt, nga posti i Këshilltarit kombëtar për Sigurinë, pasi u zbulua se nuk kishte treguar të vërtetën për natyrën e kontakteve të tij me ambasadorin rus në SHBA.
Michael Flynn, një prej mbështetësve më të mëdhenj të fushatës së Trumpit, është një nga figurat kryesore në hetimit e Mueller, sidomos pasi ish-drejtori i FBI-së, James Comey deklaroi se presidenti Trump i kërkoi që të mos hetonte ish-këshilltarin e Sigurisë.
Top Channel