Pas projektit të suksesshëm të kopshteve dhe çerdheve në Tiranë, bashkia do të vijojë me ato në periferi.

Në Ditën Botërore të Fëmijëve, kryebashkiaku Erion Veliaj ka përuruar rikonstruksionin e kopshtit nr. 60 i cili do tu shërbejë 75 fëmijëve, dhe si kopësht me drekë.

“Ky kopësht ka pasur probleme të qenësishme me infrastrukturën, ndërtesën, me themelet, me lagështirën, me kullimin, me gjithë rrënimin që kemi gjetur këtu. Para disa javësh bëmë një kënd lodrash me Ambasadën Çeke, sot një kopsht me Ambasadën Turke dhe duam të ftojmë të gjithë ata që janë miq, që të kenë mundësinë ta tregojnë praktikisht miqësinë dhe mënyrë më të mirë se sa një kopësht fëmijësh, që janë e ardhmja e këtij qyteti, nuk ka”, u shpreh ai.

Financimet për ndërtimin dhe rikonstruksionin e kopshteve dhe të çerdheve do të vijojnë edhe për vitin e ardhshëm, ku falë buxhetit të Bashkisë së Tiranës 15% më të lartë, fokusi do të jetë për ndërtimin dhe rehabilitimin e kopshteve dhe të çerdheve në zonat periferike.

“Ftoj edhe Këshillin Bashkiak ta miratojmë buxhetin e ri, i cili do jetë 15% më i madh dhe do të na mundësojë që të bëjmë akoma më shumë subvencionime në çerdhe e kopshte. Do të thotë që të hapim kopshte e çerdhe të reja në një Tiranë që sa vjen e rritet. Fokusi në dy vitet e ardhshme, edhe me buxhetin e ri, do të jetë për kopshtet e çerdhet në zonat periferike. Falë dashamirësisë së donatorëve, por edhe punës fantastike të QEZHF, tashmë kemi sistemuar kopshte e çerdhet brenda Tiranës urbane. Na duhet që të ofrojmë këto shërbime edhe në Tiranën periferike, që të mos kemi dyndje. Siç po bëjmë me shkollat, ku po ndërtojmë shkolla të reja në këto zona, ashtu do vijojmë edhe me kopshtet e çerdhet”, deklaroi Veliaj.

Kreu i Bashkisë tha se një pjesë e mirë e buxhetit të bashkisë shkon për të subvencionuar shërbimet bashkiake në të mirë të komunitetit. Duke u shprehur krenar për rezultatin e arritur nga ky rikonstruksion që u garanton fëmijëve të qytetit kushte moderne dhe një shërbim model, ambasadori turk, Hidayet Bayraktar, shprehu bindjen se ky bashkëpunim i suksesshëm i nisur me Bashkinë e Tiranës do të fuqizohet edhe më tepër në të ardhmen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA