Një gjykatë në Prishtinë shpalli fajtorë dhe i dënoi me 21 vite heqje lirie gjithsej, 4 aktivistët e Vetëvendosjes për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit kosovar në gusht të vitit 2016.

Gjykata dënoi deputetin e kësaj lëvizjeje, Frashër Krasniqi, me 8 vite heqje lirie; Atdhe Arifin me 6 vite, Egzon Halitin me 5 vite e 6 muaj; si dhe Adea Batushën me dy vite heqje lirie.

Ata u arrestuan më 30 gusht të vitit të kaluar, të dyshuar si autorë të sulmit me granatë kundër godinës së Kuvendit, që shkaktoi dëme materiale, por pa pasoja në njerëz.

Në mesin e tyre ishin edhe Petrit Ademi, ndaj të cilit u pushuan hetimet në mungesë të provave, si dhe Astrit Dehari, i cili më 5 nëntor të vitit 2016 vdiq në Burgun e Prizrenit, ku po mbahej në paraburgim prej më shumë se dy muajsh.

Rasti ngjalli shumë dyshime dhe u përcoll me debate e akuza politike në Kosovë. Sulmi ishte kryer në një periudhë tensionesh të larta politike, të nxitura nga mospajtimet rreth marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, por edhe asaj të arritur me Serbinë, që u jep më shumë autonomi komunave me shumicë serbe.

Në dhjetor të vitit 2016, Prokuroria e Posaçme e Kosovës i akuzoi ata për veprim në një grup të organizuar, me qëllim frikësimin e popullsisë dhe shkaktimin e ndjenjës së pasigurisë për qytetarët dhe institucionet e Kosovës.

Të gjithë i mohojnë akuzat. Në një reagim pas vendimit, Vetëvendosja tha se do t’i çonte në burg klanet që dënuan aktivistët e saj. Në konferencën që e mbajti së bashku me kryetarin e VV-së, Visar Ymeri, Dardan Molliqaj e quajti dënimin e Krasniqit, Arifit, Halitit dhe Batushës, si një sulm ndaj Vetëvendosjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA