Këshilli i Stabilizim dhe Asocimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian mbajti takimin e tij të 9-të më 15 nëntor 2017.
Kryeministri Edi Rama shpërndau në rrjetet sociale konstatimin e KSA për raportin e vitit 2016 të Komisionit për Shqipërinë, i cili njohu përparimin e vendit drejt përmbushjes së kritereve politike për anëtarësim dhe vazhdimin e progresit përgjithësisht të qendrueshëm në pesë prioritetet kyçe për hapjen e negociatave të aderimit.
Këshilli konstatoi gjithashtu se Komunikimi i vitit 2016 nga Komisioni mbi Strategjinë e Zgjerimit të BE, mbi bazën e progresit në përmbushjen e prioriteteve kyçe dhe në varësi të zbatimit të reformës në drejtësi dhe rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në veçanti, rekomandoi hapjen e negociatave të aderimit me Shqipërinë.
“Që prej këtij momenti, Shqipëria ka bërë progres të mëtejshëm domethënës”, thuhet në raport.
KSA konfirmoi se Shqipëria ka mbajtur një ritëm të lartë në zbatimin e masave të reformës së administratës publike dhe mirëprit në veçanti konsolidimin e masave që kanë si qëllim fuqizimin e transparencës dhe meritokracisë në Shërbimin Civil dhe përmirësimin e efektivitetit në kryerjen e shërbimeve publike.
Top Channel