Yee: Askush nuk mund të jetë mbi ligjin

25/10/2017 18:36

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Brian Yee, duke folur për zhvillimet në Shqipëri ka deklaruar se ligji duhet zbatuar njësoj për të gjithë.

Në një intervistë për VOA, Yee ka theksuar se askush nuk mund të ketë imunitet dhe se individët nuk duhet të vihen në shenjëstër pse i përkasin një partie a një tjetre.

Por qeveria, ka shtuar ai, duhet të japë shembullin se është seriozisht e angazhuar për të luftuar korrupsionin.

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri, një ish-ministër i Brendshëm akuzohet për lidhje me një grup trafiku droge. Cila është pikëpamja juaj për mënyrën se si po trajtohet çështja e tij?

Hoyt Brian Yee: Më lejoni të them për Shqipërinë, se jemi shumë të kënaqur me përparimin që Shqipëria ka arritur dhe jemi të kënaqur që Shtetet e Bashkuara kanë pasur mundësinë të kontribuojnë në reformat, përfshirë këtu edhe reformat në drejtësi. Bashkërisht me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar Shqipërinë të miratojë legjislacionin, të miratojë ndryshimet kushtetuese, me synimin që të forcojë sistemin e drejtësisë.

Dhe kjo për faktin se një gjë e tillë nuk është e rëndësishme vetëm për sundimin e ligjit në Shqipëri dhe për kushtet në të cilat jetojnë qytetarët e saj, por edhe për faktin se [reformat] janë një nga kushtet kryesore për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Dhe pikërisht në këtë frymë, ne kemi vazhduar të mbështesim përpjekjet e Shqipërisë për të zbatuar reformat në sundimin e ligjit, dhe po ashtu edhe në luftën kundër krimit, kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit…Të gjitha këto shërbejnë për të ngritur standardin jetësor për qytetarët e Shqipërisë, por edhe për ta ndihmuar përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Së këndejmi, jemi duke ofruar drejtpërdrejtë ndihmën tonë, ekspertizën teknike, ndihmën financiare, në ndërtimin e strukturave, në trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve, për t’u ndihmuar që të kryejnë punën e tyre. Sinqerisht, nuk mund të flas dot mbi rastet individuale, por gjithsesi besojmë në disa parime.

I pari është se ligji duhet të jetë i zbatueshëm për të gjithë njësoj, askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, askush nuk mund të gëzojë imunitet nga ligji. Mbështesim plotësisht prokurorët dhe gjykatësit, të cilët ndjekin hetimet, dënimet, kudo që ato çojnë, në nivele të larta apo të mëposhtme të administratës. Nuk besojmë se individët duhet të shënjestrohen pse i takojnë një partie politike apo një tjetre, por parimi themelor është se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.

Qeveria është ajo e cila duhet të japë shembullin dhe të demonstrojë para qytetarëve se është e përkushtuar të luftojë korrupsionin, qofshin ata qytetarë, zyrtarë qeveritarë, të huaj, shqiptarë…dhe se Shqipëria është serioze në përpjekjet e saj për të luftuar korrupsionin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA