Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e 44 deputetëve të opozitës që kundërshtonin zgjedhjen e Endrit Shabanit në detyrën e Avokatit të Popullit.

Kushtetuesja mori në shqyrtim sot kërkesën e deputetëve, të cilët kërkonin verifikimin e zgjedhshmërisë dhe papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit të Avokatit të Popullit, si dhe shfuqizimin e vendimit të Kuvendit nr. 111/2025, të datës 11 dhjetor 2025, “Për zgjedhjen e Avokatit të Popullit”.

Gjykata vlerësoi fillimisht se Avokati i Popullit bën pjesë në kategorinë e funksionarëve të organeve të parashikuara në Kushtetutë dhe se çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë, papajtueshmërinë në ushtrimin e funksionit dhe verifikimin e zgjedhjes së tij përfshihen në juridiksionin kushtetues.

Megjithatë, për një pjesë të pretendimeve të ngritura nga deputetët e opozitës, Kushtetuesja vlerësoi se ato nuk ngrinin çështje të nivelit kushtetues. Mes tyre ishin pretendimet që lidheshin me nënshkrimet e 28 deputetëve mbështetës në një listë të vetme, zbatimin e rregullit të brendshëm “një deputet mbështet vetëm një kandidat”, interpretimin e nenit 72 të Rregullores së Kuvendit dhe pretendimin për ekzistencën e një marrëveshjeje politike mes shumicës dhe pakicës parlamentare për kandidatin për Avokat të Popullit.

“Ndërsa pretendimet e tjera për zgjedhshmërinë e Avokatit të Popullit, në kuptimin e plotësimit të kritereve kushtetuese, papajtueshmërinë në ushtrimin e funksionit dhe për verifikimin e zgjedhjes së tij, Gjykata i konsideroi se bëjnë pjesë në juridiksionin kushtetues dhe u ndal në vlerësimin e tyre në themel”, thuhet në njoftimin për vendimmarrje.

Endrit Shabani u zgjodh Avokat i Popullit më 11 dhjetor 2025 me 85 vota pro në Kuvend. Zgjedhja e tij u kundërshtua nga Partia Demokratike, e cila kishte tërhequr më herët firmat e mbështetjes për kandidatët, përfshirë Shabanin, duke argumentuar se ai nuk gëzonte më mbështetjen e opozitës.

Me rrëzimin e kërkesës së 44 deputetëve të opozitës nga Gjykata Kushtetuese, vendimi i Kuvendit për zgjedhjen e Endrit Shabanit si Avokat i Popullit mbetet në fuqi.

 

 

Top Channel