Përballja me britanikët islamikë, Londra: T’i vrasim

23/10/2017 14:15

E vetmja mënyrë për t’u përballur me luftëtarët britanikë të Shtetit Islamik, në Siri, është t’i vrasim ata!

Kështu deklaroi ministri britanik për Zhvillimet Ndërkombëtare, Rory Stewart, i cili shtoi se ata duhet të presin vdekjen, pasi paraqesin një rrezik të madh për Mbretërinë e Bashkuar.

Komentet e Stewart u konfirmuan nga qeveria britanike, e cila tha se ky ishte pozicioni i saj zyrtar.

Deklarata e Stewart pason atë të Brett McGurk, zyrtar amerikan i koalicionit që lufton Shtetin Islamik, i cili tha se misioni i tij është të sigurohet se çdo luftëtar i huaj në Siri do të vdesë atje.

Ministri britanik pranoi se këto janë çështje të vështira morale, por shtoi se individët në fjalë nuk i kanë lënë Britanisë zgjedhje tjetër.

“Ata besojnë në një doktrinë të urryeshme, që përfshin vetëvrasjen, vrasjen e të tjerëve dhe përdorimin e dhunës, për të krijuar një shtet të shekullit të VII apo VIII. Këta njerëz janë rrezik serioz për ne, e thuajse në çdo rast, mënyra e vetme për t’u përballur me ta është t’i vrasim”, deklaroi Stewart.

Megjithëse ka zëra se britanikët që janë bashkuar naivisht me Shtetin Islamik duhet të riintegrohen në shoqëri, Ministria britanike e Mbrojtjes deklaroi se mbështet plotësisht komentet e ministrit Stewart.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA