Çmimi i Madh i Amerikës pritet me të gjitha gjasat të vulosë fatin e këtij Botërori, duke qenë se Lewis Hamilton ka udhëhequr në të dyja sesionet e provave të lira.

Britaniku i Mercedesit e ka mbyllur përpara të gjithëve ditën e parë të provave të lira në Austin të Teksasit.

E nëse në sesionin e parë ndiqte Sebastian Vettel, në të dytin ishte holandezi Max Verstappen që e sheh veten pas britanikut.

Koha më e mirë ishte e kryesuesit të Botërorit me 1 minutë, 34 sekonda e 668 të mijëtat, me gomat super të buta, ndërsa holandezi e pa veten pak më pak sesa 4 të dhjetat pas tij, me Red Bullin.

Nëse do të rivalizojë për triumfin në këtë garë, për Max Verstappen do të jetë mënyra më e mirë për të festuar rinovimin deri në vitin 2020 me skuderinë nga Milton Keynes.

Për Ferrarin, vetëm koha e tretë më e mirë, me gjysmë sekondi diferencë nga Hamilton, ajo e Sebastian Vettel, që renditet përpara Mercedesit tjetër të Valtteri Bottas. Gjermani i Ferrarit doli nga pista teksa ishte në kërkim të kohës më të mirë me gomat e buta.

Top Channel