Alonso rinovon me McLaren, do të garojë edhe në 2018-n

19/10/2017 23:08

Fernando Alonso do të garojë me McLarenin edhe për vitin e ardhshëm të Formulës 1. Lajmi është konfirmuar këtë të enjte, duke i dhënë fund spekulimeve se dy herë kampioni i botës mund të largohej nga skuderia britanike, pas një tjetër sezoni irritues si ky i sivjetshmi.

Alonso, i cili do të ketë shok skuadre Stoffel Vandoorne, pritej të rinovonte kontratën me McLarenin, që kur skuderia njoftoi muajin e kaluar prishjen e kontratës së furnizimit me motorët Honda, për të kaluar te njësitë motorike të Renaultit vitin e ardhshëm. Një lëvizje kjo që pritet të sjellë një kthesë të fuqishme sa i përket garave të sezonit të ri.

“Më pëlqen shumë fakti që po njoftoj vazhdimin e marrëdhënies time kontraktuale me cilindo te McLareni”, tha Alonso. “Kjo ka qenë gjithnjë dëshira ime, pasi ndihem me të vërtetë si në shtëpinë time këtu. Kjo është një skuderi fantastike, plot me njerëz të jashtëzakonshëm, me miqësi e ngrohtësi, gjëra që nuk i kam përjetuar askund tjetër në Formulën 1. Jam shumë i gëzuar që do të garoj sërish me McLarenin”, përfundoi deklaratën piloti spanjoll.

Ai i ardhshmi do të jetë sezoni i katërt radhazi i Alonsos me McLarenin, si dhe i pesti në total. Spanjolli iu bashkua skuderisë britanike në sezonin e 2015-s, kohë kur kompania nga Woking rikonfirmoi bashkëpunimin e suksesshëm të dikurshëm me Hondën.

Top Channel