Institucioni i Avokatit të Popullit, në vijim të hetimit administrativ të nisur javën e kaluar në lidhje me çështjen e prishjes së një numri ndërtimesh private në zbatim të një projekti infrastrukturor në Shkozë të Tiranës, ka konstatuar shkelje gjatë ndërhyrjes së IKMT-së për prishjen e banesave.
“Nga konstatimet e bëra në terren rezulton se gjatë prishjes së disa banesave nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), nuk janë respektuar afatet e parashikuara nga ligji “Për inspektimin e territorit dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”. Ky fakt u konstatua nga ana e ekspertëve tanë në rastin e prishjen së banesës së shtetasve N.R. dhe T.R. Gjithashtu, nga kontakti me shtetasit N.R. dhe T.R., është konstatuar se ata pretendojnë që pavarësisht se vendimi “Për prishjen e objektit të kundërligjshëm” mban datën 15.09.2015, ai u është komunikuar atyre vetëm në datën 19.09.2017 dhe se po sot është kryer edhe ekzekutimi për prishjen e banesës së tyre. Mosrespektimi i afateve të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, përbën shkelje të një procesi të rregullt ligjor, pasi ndër të tjera u mohohet shtetasve e drejta e ankimit. Po kështu, zbatimi i vendimeve për prishjen e objekteve të kundraligjshëm, pa respektuar afatet ligjore, sjell dëm material ndaj shtetasve, gjë e cila në aspektin civil, përbën dëm jashtëkontraktor”, lexohet në një deklaratë për shtyp të Avokatit të Popullit.
“Nga ana e Institucionit të Avokatit të Popullit po mblidhet dokumentacioni i nevojshëm, për të vlerësuar nëse në tërësinë e tyre, veprimet e institucionit të IKMT-së, përmbajnë elementë të konsumimit të veprës penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Nga verifikimet paraprake rezulton se deri më sot ka vetëm një vendim të Këshillit të Ministrave për shpronësimin e trojeve që preken nga ky projekt, por mungon vendimi përkatës i Këshillit të Ministrave që zgjidh problemin e shpronësimit të objekteve ndërtimore që preken nga projekti në fjalë. Ekspertët tanë kanë konstatuar se ndonëse javën e kaluar procesi i ndërhyrjes në banesa është shoqëruar me protesta nga qytetarët dhe konfrontime fizike me Policinë e Shtetit, nga ana e autoriteteve të përfshira nuk është marrë asnjë masë për të pasur të pranishme mjetet e shërbimit të urgjencës mjekësore të gatshme për çdo situatë. Madje në një rast, kanë qenë vetë ekspertët e Avokatit të Popullit ata që e kanë ndërmarrë këtë veprim. Situata të tilla mund të përsëriten edhe në ditët në vijim, prandaj ekspertet tanë kanë rekomanduar marrjen e masave për të siguruar ndihmën mjekësore për qytetarët që mund të preken nga ndërhyrja. Duke qenë se nga ana e institucioneve shtetërore (IKMT, ARRSH, ALUIZNI), të cilave Avokati i Popullit i ka kërkuar zyrtarisht javën e kaluar dokumentacionin përkatës në lidhje me procedurat e prishjes së objekteve private, nuk kanë sjellë ende asnjë përgjigje dhe duke pasur parasysh se situata në terren po avancon përditë (ditën e djeshme u prishën tre objekte, ndërsa ditën e sotme u prishën katër objekte të tjera), nesër një ekip i posaçëm ekspertësh të Avokatit të Popullit, do të shkojë në këto institucione për të marrë në dorëzim materialet”, lexohet më tej në komunikatën e Avokatit të Popullit.
Top Channel