FMN jep shifrat për Shqipërinë, ja sa pritet të rritet ekonomia dhe në çfarë niveli parashikohet të jetë inflacioni Kur nuk ka kaluar ende një muaj nga akti normativ që ndryshoi buxhetin e shtetit, qeveria po përgatit një tjetër ndryshim të shpejtë të ligjit që rregullon financat e vendit.
Burime nga Ministria e Financave thanë për Top Channel se buxheti do të ndryshohet sërish për të financuar ndryshimet, që do të ndodhin në strukturën e administratës publike.
Kryeministri Edi Rama ka shpallur strukturën e qeverisë së re, e cila parashikon shkrirjen dhe bashkimin e disa ministrive. Nga ana tjetër plani i qeverisë së re është përgjysmimi i agjencive publike, që sipas saj do të krijojë një aparat publik më efikas për t’ju përgjigjur nevojave të zhvillimit të vendit.
Sipas Ministrisë së Financave, kjo e bën të domosdoshme ndryshimin e buxhetit të shtetit për të financuar agjencitë dhe institucionet e reja që do të krijohen me strukturën e re qeverisëse, ndërkohë që treguesit makroekonomikë, si borxhi apo të ardhurat nuk do të preken. Përveç ndryshimit të buxhetit, shumë shpejt qeveria pritet të lirojë edhe tenderat publik.
Që nga marrëveshja politike e majit mes maxhorancës dhe opozitës, qeveria ka kufizuar prokurimet publike duke lejuar institucionet të kryejnë vetëm tenderat emergjentë dhe ata që marrin miratimin e kryeministrit. Masa shtrënguese u zgjat edhe pas zgjedhjeve deri në përfundimin e plotë të tranzicionit.
Burime nga Ministria e Financave thonë se prokurimet pritet të lirohen menjëherë pas formimit të qeverisë së re duke i hapur rrugën zhvillimit normal të tenderave publikë.
Top Channel