Furnizimi për shtatorin, OSHEE blen 20 milionë euro energji

30/08/2017 00:00

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë bleu 20 milionë euro energji për të përballuar konsumin e shtatorit. Sipas njoftimit zyrtar të OSHE, pas 5 raundesh negociata me kompanitë ofertuese u sigurua 271 mijë mega vat energji me një cmim mesatar rreth 73 euro për mega, përfshirë dhe koston e transmetimit.

Paraprakisht kompania kishte planifikuar të blinte 288.6 mijë mega për të përballuar konsumin e muajit shtator. Por sasia e ofruar në tender ka qenë më e vogël. Burime nga kompania thonë se i gjithë rajoni po përballet me një situatë të vështirë energjetike, cka ka ulur ofertën në treg duke sjelle edhe në rritjen e cmimit të këtij malli.   

Sipas të dhënave zyrtare, për dy muajt e kaluar operatori i shpërndarjes së energjisë ka shpenzuar mbi 50 milionë euro për të blerë energji elektrike.

Bashkë me sasinë e prokuruar për shtatorin, fatura totale e energjisë arrinë në rreth 80 milionë euro duke përfshirë edhe pjesën e blerë nga korporata elektroenergjetike shqiptare përmes kredisë së bankës botërore. Kjo është sa 0.8 për qind e prodhimit kombëtar.

Për shkak të faturës së lartë të importeve, OSHE thuajse ka ndërprerë plotësisht investimet në rrjet cka pritet të dëmtojë uljen e humbjeve sipas planit. Nga ana tjetër, kompanitë publike të energjisë kanë pezulluar edhe shlyerjen e kredive të marra me garancinë e qeverisë duke detyruar buxhetin e shtetit të marrë përsipër pagesën e tyre.

Top Channel