Tërmeti në Kinë, të paktën 19 viktima e 247 të plagosur

09/08/2017 00:00

Një tërmet me magnitudë 7 ka lënë të vdekur të paktën 19 persona dhe ka plagosur 247 të tjerë në provincën perëndimore të Kinës, Sichuan. Mes viktimave janë edhe 6 turistë, ndërsa 45 mijë të tjerë janë evakuuar nga zona.

Lëkundja sizmike tronditi pjesën veriore më pak të populluar të Sichuanit, sipas Shërbimit Gjeologjik amerikan.

Disa raportime të medieve vendase thonë se numri i viktimave mund të rritet, ndërsa epiqendra e tërmetit ka qenë shumë pranë një zone të frekuentuar nga turistët. Provinca e Sichuanit është në një zonë të njohur sizmike, teksa edhe në të kaluarën është tronditur nga tërmetet. Në vitin 2008, më shumë se 70 mijë njerëz humbën jetën në një tjetër lëkundje sizmike.

Tërmeti i fundit goditi rreth orës 21:20 me orën lokale, rreth 300 km në veri të kryeqytetit të kësaj province, Chengdu, e kishte një thellësi prej 10 km.

Fotot nga vendngjarja tregojnë shkatërrimin e shumë ndërtesave, përfshi një hotel në Jiuzhaigou, qendrën e rezervave më të famshme natyrore të Kinës dhe zonë e mbrojtur nga UNESCO si trashëgimi botërore.

Edhe pse një pronar restoranti tha se tërmeti ishte ndjerë më i fuqishëm sesa ai i vitit 2008, nuk ka asnjë sugjerim se numri i viktimave mund të mbërrijë sadopak në nivelet e fatkeqësisë së para 9 viteve.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel