Tragjedia në Nepal thellohet/ Mbi 500 të vdekur nga përmbytjet, 977 persona ende të zhdukur

28/08/2026 12:35

Bilanci i viktimave nga përmbytjet katastrofike në Nepal ka kaluar shifrën 500, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë përpjekjet për gjetjen e qindra personave që rezultojnë të zhdukur.

Autoriteti nepalez për Menaxhimin e Fatkeqësive njoftoi se numri i të vdekurve ka shkuar në 538, ndërsa policia nepaleze raportoi një bilanc edhe më të lartë, prej 547 viktimash. Autoritetet nuk kanë dhënë ende një shpjegim për diferencën mes dy shifrave. Të dyja shifrat i referohen situatës deri në orën 15:00 me kohën lokale.

Ndërkohë, 977 persona vijojnë të konsiderohen të zhdukur, mes tyre 517 shtetas të huaj. Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë në zonat më të goditura, ndërsa autoritetet po përpiqen të identifikojnë personat e zhdukur dhe të konsolidojnë të dhënat për viktimat.

Bordi i Turizmit i Nepalit bëri me dije se deri tani janë shpëtuar 121 shtetas të huaj. Mes tyre janë edhe dy shtetas amerikanë, ndërsa nuk raportohet për shtetas britanikë të shpëtuar.

Katastrofa e shkaktuar nga përmbytjet e befasishme ka shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë dhe ka izoluar disa zona të Nepalit, duke vështirësuar ndjeshëm operacionet e shpëtimit.

Top Channel