Kaosi në Venezuelë, OKB: Shteti po dhunon njerëzit

08/08/2017 00:00

Kombet e Bashkuara kritikuan ashpër përdorimin e gjerë dhe sistematik të forcës ndaj protestuesve në Venezuelë, ndërsa fajësuan forcat e sigurisë dhe grupet proqeveritare për vdekjen e të paktën 73 protestuesve.

Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut kreu një hetim në Venezuelë, në qershor e korrik, dhe rezultatet e tij përshkruan një panoramë shqetësuese dhune, por edhe arrestimesh arbitrare të demonstruesve.

Shumë analistë thonë se OKB-ja humbi kohë dhe parà për këtë hetim, rezultatet e të cilit i dinin që të gjithë prej shumë kohësh, por ajo që vlen është raportimi zyrtar për to. Në raport shkruhet se forcat e sigurisë, kryesisht Garda Kombëtare, policia kombëtare dhe forcat lokale të policisë, kanë përdorur forcë të tepruar për të shkaktuar frikë, për të shtypur kundërshtimin dhe për të ndalur demonstratat.

Autoritetet e larta tolerojnë gjithçka, madje duke i cilësuar të drejta ndërhyrjet e forcave të sigurisë kundër terroristëve, siç po cilësohen gjithnjë e më shpesh protestuesit. Prej muajsh, Venezuela është përfshirë nga protesta masive kundër presidentit Nicolas Maduro, i cili ka zgjedhur dhunën dhe shkatërrimin e sundimit të ligjit për të mbajtur pushtetin.

Top Channel