‘Një dron me eksploziv do t’i vinte zjarrin Kryeministrisë’, Rama: Dhuna nuk ka lidhje me rininë shqiptare

18/10/2026 08:37

Kryeministri Edi Rama, në një komunikim në Facebook, ka reaguar për protestën e dhunshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke dënuar sulmet ndaj policisë dhe dëmtimin e pronës publike e private.

Rama deklaroi se dhuna nuk ka lidhje me rininë shqiptare dhe pretendoi se një grup i vogël studentësh është ndikuar nga ide ekstremiste. Ai foli gjithashtu për një dron me eksploziv, që sipas tij është zbuluar me qëllim për t’i vënë zjarrin oborrit të Kryeministrisë, si dhe akuzoi organizatorët se synojnë të mbajnë njerëzit në rrugë.

‘Ky është një nga mijëra gurët e shkulur të bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për t’u hedhur mbi policinë. Është praktikisht një armë që mund të bëhet edhe vdekjeprurëse. Imazhet që transmetojnë televizionet shfaqin të ashtuquajturin grupin e zjarrit, që nuk ka lidhje me studentët. Kjo është një dhunë e verbër që nuk ka asnjë lidhje me rininë shqiptare.
Këtu nuk po sfidohem unë, nuk po sfidohet qeveria, por po sfidohet një mision, një objektiv: Shqipëria në BE në vitin 2030. Natyrisht që më 21 Janar u qëllua me mijëra plumba kallashnikovësh, madje ka edhe pamje të raketave si ato të Hamasit, por nuk u dogj asnjë biznes, nuk u turrën ata barbarë drejt bankave, sepse Shqipëria sapo kishte dalë nga gërmadhat e piramidave.
Pse sulmohen bankat dhe bankomatet? Është ajo injorancë që thotë: “Shko te bankat se do të gjesh lekë”. Paratë nuk janë aty, sepse bankat e sotme nuk janë bankat e Sudes dhe Xhaferrit, por këta duan popullin në rrugë. Popull në rrugë nuk ka.
Në bulevard është një pjesë e vogël e studentëve të verbuar nga ide ekstremiste, të cilat po shfaqen në Paris, Romë, Milano, Portugali dhe Brazil, në një valë të përgjithshme, por kjo vala jonë është pjesë e një vale të përgjithshme.
Një dron me eksploziv është zbuluar për t’i vënë zjarrin oborrit të Kryeministrisë. Kemi shumë të dhëna. Një tjetër është Republika e Iranit.
Nuk ka për të ardhur dita që ata që shprehin një mendim që bie ndesh me planin e këtyre maskave të kenë frikë. Shqipëria nuk mund të lulëzojë vetëm kur ata e kanë pushtetin’, u shpreh Rama.

Top Channel