Trendi më i ri në Rusi, “Hiq këmishën si Vladimiri”

07/08/2017 00:00

Pa këmishë si Putin… Në Rusi ka nisur në masë sfida #Putinpakëmishë dhe kjo është padyshim, gara e verës 2017.

Homazhi ndaj gjoksit robust presidencial, duket se ka nisur në Instagram nga Pavel Durov, themelues i rrjetit social rus VKontakte dhe Telegram.

“Hiq këmishën si Vladimiri” ishte sfida e lëshuar nën hashtagun #PutinShirtlessChallenge, në të cilën ftohen rusët të pozojnë me gjoks të ekspozuar, ashtu siç edhe ka bërë numri një i Kremlinit gjatë pushimeve të tij në Tuva.

Dhe në fakt, në rrjetet sociale, janë të pafundë të rinjtë, fëmijët por edhe gratë që i janë përgjigjur sfidës.

Vetëm pak ditë më parë, presidenti rus, i zhveshur deri në brez, sfidoi ujërat e ftohta të një liqeni malor, në kuadër të një udhëtimi tre ditor peshkimi dhe gjuetie në zonat e egra të Siberisë.

Ai është i njohur për pozat e tij prej të forti, që kanë kontribuar edhe ato në rritjen e popullaritetit.

Pamjet e këtij udhëtimi janë shpërndarë nga vetë Kremlini, dhe Putin, praktikues i arteve marciale dhe i apasionuar pas Hokejt, peshkonte, notonte dhe merrte rreze dielli, i shoqëruar nga ministri i mbrojtjes Sergei Shoigu.

Top Channel