Kryengritja në Venezuelë, autoritetet kërkojnë të arratisurit

07/08/2017 00:00

Autoritetet venezueliane janë vënë në kërkim të 10 personave që u arratisën pas sulmit kundër një baze ushtarake, bëri të ditur presidenti Nikolas Maduro.

Sipas tij, sulmi në qytetin veriperëndimor të Valencias u krye nga 20 persona, dy prej të cilëve u vranë, një u plagos e 7 u arrestuan. Më herët, një video e postuar në rrjetet sociale tregoi disa burra në uniformë teksa thonin se po ngriheshin kundër tiranisë vrastare. Pavarësisht ngjarjes, situata duket të jetë e qetë në vend. Gjatë një fjalimi televiziv, Maduro përgëzoi ushtrinë për reagimin e saj të menjëhershëm ndaj atij që e quajti sulm terrorist në orët e para të së dielës.

“Dhjetë agresorë u larguan para ndërhyrjes së ushtrisë dhe morën me vete disa armë nga baza. Pjesë e tyre edhe një lejtnant, informacionet e fotot e të cilit do t’i publikojmë. Ishte një sulm terrorist kundër forcave të armatosura, të cilat reaguan siç duhet”, tha Maduro.

Automjete ushtarake patrullojnë rrugët brenda dhe rreth Valencias dhe të paktën një helikopter po përdoret gjatë operacionit. Qeveria bëri të ditur se mes të arrestuarve është një lejtnant i parë, i cili dezertoi. Ndërsa të tjerë ishin civilë të veshur me uniforma. Në qytet u zhvilluan disa protesta në mbështetje të kryengritjes, por, siç rrëfyen dëshmitarët, ato u shpërndanë me gaz lotsjellës.

Ngjarja në Valencia ndodhi një ditë pas sesionit të parë të asamblesë së sapozgjedhur kushtetuese, e cila konsiderohet nga opozita si një mënyrë për fuqizimin e pozitave të Presidentit të majtë.

Top Channel