Sanksionet e OKB-së, Kina: Koreja e Veriut të ndalë testet

06/08/2017 00:00

Ministri i Jashtëm kinez i ka dhënë një mesazh homologut të tij koreano-verior, duke i kërkuar që Peniani t’u japë fund testeve bërthamore dhe atyre raketore, vetëm pak orë pasi sanksione të reja u rakorduan nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Wang Yi tha se e kishte nxitur Ri Yong-ho t’u përmbahej rezolutave të Kombeve të Bashkuara në një takim mes tyre të zhvilluar këtë të dielë në Filipine. Megjithatë, kryediplomati kinez nuk ka bërë të ditur sesi i është përgjigjur Ri kërkesës së tij.

Rezoluta e së shtunës, që ndalon eksportet koreano-veriore dhe kufizon investimet në vendin e izoluar komunist, u kalua unanimisht nga Këshilli i Sigurimit. Wang tha se sanksionet ishin të nevojshme, megjithatë ato “nuk janë objektivi i fundit”, ndaj dhe bëri thirrje për dialog mes palëve. Ai shtoi se i kishte kërkuar Koresë së Veriut të ruante qetësinë e të mos provokonte komunitetin ndërkombëtar me teste të tjera.

I dërguari kinez, ndërkohë, u bëri thirrje edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Koresë së Jugut që të mos rrisin më tej tenksionet, duke thënë se situata ndodhej “në pikën kritike”, ndoshta çasti perfekt për të rifilluar bisedimet. Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley kishte thënë më herët se Koreja e Veriut po përballet “me setin më të fortë të sanksioneve që u janë vënë ndonjëherë një vendi”.

Peniani ka testuar dy raketa balistike ndërkontinentale në muajin korrik, duke petenduar se tashmë ka kapacitetet dhe aftësitë e nevojshme për të goditur Shtetet e Bashkuara. Gjithsesi, ekspertët dyshojnë ende se raketat e vendit komunist mund të godasin në shenjë objektivat e tyre. Testet janë dënuar nga Koreja e Jugut, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara, e nxitën hartimin e sanksioneve të reja të OKB-së.

Kina, aleati kryesor ndërkombëtar i Veriut komunist dhe një anëtar me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit, votoi në favor të rezolutës pas negociatave me Shtetet e Bashkuara, të cilat Nikki Haley i cilësoi si “tejet të vështira”. Kjo, sepse Pekini e ka mbrojtur shpesh në të kaluarën Penianin nga rezolutat e dëmshme. Edhe Rusia, që është kritikuar nga SHBA për lidhjet ekonomike me Korenë e Veriut, votoi në favor të sanksioneve.

Top Channel