Panik në Paris, me thikë në dorë në kullën Eiffel

06/08/2017 00:00

Një person është arrestuar në Paris pasi kishte tentuar të hynte me forcë në kullën Eiffel, duke kërcënuar me një thikë.

“Ai u arrestua menjëherë dhe askush nuk u lëndua”, tha kompania që menaxhon monumentin. Franca ka qenë në gjendje të lartë emergjence që nga sulmet e nëntorit 2015 në kryeqytet që i morën jetën 130 personave.

Incidenti në kullën Eiffel, ndodhi rreth orës 23.30 minuta të mbrëmjes së të shtunës. Pas arrestimit, policia evakuoi kullën. I arrestuari kish veshur një bluzë të klubit të futbollit Paris Saint Germain dhe kish thirrur Allahu Akbar ndërsa kish tentuar të kalonte rrethimin e sigurisë.

Kulla ishte ndriçuar me ngjyrat e skuadrës së futbollit dhe kishte një ekran të madh në të cilin shfaqej një mesazh mirëseardhjeje për yllin brazilian Neimar, në klub. Prokurorët francezë kanë nisur një hetim anti-terrorizëm për shkak të deklaratave të të arrestuarit para policisë dhe radikalizimit të tij të dukshëm.

Sipas burimeve, i arrestuari është një 19-vjeçar dhe ka një histori të gjatë problemesh psikologjike. Ai i kish thënë hetuesve se donte të sulmonte një ushtar dhe se vetë ai kish qenë në kontakt me një pjesëtar të grupit terrorist shteti islamik.

Top Channel