Kërcënimi i Penianit, SHBA dhe Kina më afër

06/08/2017 00:00

Tensionet me Korenë e Veriut dhe programin e saj bërthamor dhe raketor mbeten të larta dhe SHBA, duket se po shqyrton të gjitha opsionet e mundshme, përfshirë atë të luftës.

Vetë këshilltari për sigurinë kombëtare H.R McMasters, konfirmoi se SHBA janë të hapura për të gjitha opsionet në kundërpërgjigje të kërcënimit bërthamor të Penianit pa përjashtuar atë të një lufte parandaluese.

“Presidenti Trump ka thënë se nuk do të tolerojë më kërcënimet e Koresë së Veriut. Opsioni i luftës po merret në konsideratë”, deklaroi McMaster.

E ndërkohë, Këshilli i Sigurimit të OKB-së, miratoi në mënyrë unanime një rezolutë që i vendoste Koresë së Veriut sanksione të reja që prekin eksportet e qymyrit, hekurit, plumbit dhe prodhimeve të detit. Ajo po ashtu ndalon vendet e ndryshme që të rrisin numrin e punonjësve të Koresë së Veriut që punojnë jashtë vendit dhe ndalon bashkëpunimet me vendin dhe çdo investim në të.

SHBA, që ka pretenduar prej kohësh se Kina nuk ka bërë aq sa duhet për të vendosur nën fre Korenë e Veriut, ka negociuar me kinën për një muaj për rezolutën e re, para se ta paraqiste atë në këshillin e sigurimit.

Sanksionet e radhës janë të shtatat të vendosura nga OKB që nga fillimi i testeve të saj në 2006. Edhe ambasadori kinez në OKB, Liu Jieyi, tha se rezoluta e re synon të parandalojë kaosin dhe konfliktin në gadishullin korean.

Ndërkohë të dielën, sekretari amerikan i shtetit Rex Tillerson dhe ministri i jashtëm kinez, Uang Ji, të takuar në Manila të Filipineve ku po mbahet një samit i vendeve aziatike, përsëritën mbështetjen për sanksionet e reja kundër Koresë së Veriut. Të dy ata pranuan dhe kërkuan implementim të plotë dhe të menjëhershëm të sanksioneve ndërkohë që ministri kinez, i tha gazetarëve se sanksionet mbi Korenë e Veriut, ishin përgjigjja e duhur ndaj një serie testesh raketore, por dialogu është thelbësor në zgjidhjen e kësaj çështjeje komplekse dhe të ndjeshme.

Top Channel