Venezuelë, betohen pjesëtarët e Asamblesë kontroverse. Kritika nga Vatikani

04/08/2017 00:00

Rreziku i konfrontimit është shtuar së tepërmi në Venezuelë, teksa presidenti Nicolas Maduro emëroi në mënyrë kontroverse Asamblenë e re Kushtetuese, pavarësisht dënimit ndërkombëtar dhe një proteste të planifikuar nga opozita për ta bllokuar atë.

Asambleja Kushtetuese 545 vendëshe u betua të premten, 5 ditë pasi u zgjodh në një votim që është sulmuar nga akuzat për manipulim dhe vjedhje votash. Trupa e re kushtetuese është e përbërë tërësisht nga njerëz besnikë të sistemit, pasi opozita bojkotoi zgjedhjet si antikushtetuese.

Në seancën e parë, Asambleja zgjodhi ish-ministrin e Jashtëm të Venezuelës, Delcy Rodriguez si president të saj, ndërsa ish-zëvendëspresidentin e vendit, Aristobulo Isturiz, si zëvendëspresident.

Ndërkohë, Vatikani u bë i fundit i dhjetëra shteteve që kanë refuzuar njohjen e Asamblesë së re, që sipas Selisë së Shenjtë “krijon një klimë tensioni dhe konflikti” në vendin me shumicë katolike.

Vatikani, që në të kaluarën ka vepruar si ndërmjetës mes qeverisë dhe opozitës, apeloi gjithashtu këtë të premte ndaj forcave të sigurisë që të tregojnë vetëpërmbajtje.

Duke nxitur tensionet që edhe deri më tani kanë qenë të larta, trupa e re kushtetuese, e cila do të ketë fuqitë për të rishkruar Kushtetutën dhe për të shpërbërë institucionet shtetërore, do të ketë selinë e saj në një prej dhomave të Pallatit Legjislativ në Karakas, ku ushtron veprimtarinë e tij Parlamenti i kontrolluar nga opozita.

Maduro është shprehur se Asambleja do t’iu heqë imunitetin kushtetues deputetëve të opozitës për t’u hetuar, edhe pse anëtarët e Kongresit kanë bërë të ditur se do të mund të largohen nga detyra vetëm përmes forcës.

Koalicioni opozitar, i njohur si “MUD”, ka bërë thirrje që të gjithë kritikët e qeverisë të marshojnë në kryeqytet, duke shtuar në këtë mënyrë probabilitetin e përplasjeve të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të sigurisë.

Më shumë se 125 persona janë vrarë në 4 muajt e fundit të protestave kundër qeverisë së Maduros, të cilin opozita e konsideron si një udhëheqës gjithnjë e më autoritar dhe represiv. Më shumë se 5.000 persona janë arrestuar nga forcat e sigurisë, ndërsa 1.389 persona mbeten në paraburgim, sipas “Foro Penal”, një grup i të drejtave të njeriut.

Top Channel