Trump “i lutet” Nietos: Mos thuaj që nuk e paguan murin

04/08/2017 00:00

Donald Trump tha se ideja e tij që Meksika të paguajë murin kufitar është thjeshtë një lojë politike, ndërsa i kërkoi homologut të tij meksikan që të mos thotë më në publik se nuk do të paguajë për të.

Kështu shprehet presidenti amerikan në një telefonatë me Enrike Pena Nieton, diçka që minimalisht e bën Trumpin hipokrit dhe i jep një zhgënjim të madh mbështetësve të tij.

Në fushatë, Trump trumbetonte me të madhe se murin do ta paguante Meksika, ndërsa në telefonatën e publikuar nga Uashington Post, presidenti amerikan shfaqet shumë ndryshe.

‘Në pikëpamjen ekonomike,  muri është gjëja më pak e rëndëisshme, por ka rëndësi psikologjike- i thotë Trump, Nietos në telefonatë e bërë më 27 janar, një javë pasi miliarderi mori detyrën. Trump i lë të kuptojë Nietos se s’ka asgjë për të paguar, por shton se këtë s’mund ta thotë në publik.

“Nuk mund t’ia thuash dot këtë shtypit. Nuk e përballoj dot. Nuk mund t’i thuash shtypit se s’do të paguash për murin, sepse nuk negocioj dot në këto kushte”, vijon Trump.

Në Meksikë telefonata është cilësuar dështim për presidentin Nieto, pasi shumë njerëz dhe politikanë pretendojnë se u bë kohë që ai nuk dëgjohet të thotë se nuk do të paguajë për murin e Trump.

Top Channel