Shkreli del “piramidë”. Shqiptari i farmaceutikës dënohet për mashtrim

04/08/2017 00:00

Martin Shkreli është shpallur fajtor për 3 akuza për mashtrim me fondet, ndërkohë 5 akuza të tjera janë rrëzuar në një gjykim që kishte në shënjestër menaxhimin e dy fondeve të besimit nga ana e tij. 34-vjeçari Shkreli u bë i njohur si njeriu më i urryer në Amerikë në vitin 2015, kur kompania e tij rriti me 5.000 për qind çmimin e një ilaçi që përdorej nga pacientët me AIDS.

Në përfundim të gjykimit, Shkreli dhe avokati i tij e konsideruan vendimin e jurisë një fitore.

“Kjo ishte një gjueti shtrigash e përmasave epike. Ndoshta ata gjetën një apo dy degë ku të kapen, por në fund të fundit, ne u çliruam nga akuzat më të rënda të çështjes dhe unë jam i kënaqur që ju informoj për këtë”, tha Martin Shkreli, ish-drejtues i “Turing Farmaceutical”.

“Ishte një proces i vështirë, kryesisht për shkak të ndjenjave anti-Shkrel. E pavarësisht kësaj, juria e çliroi atë nga 5 prej 8 akuzave. Nuk jemi 100 për qind të kënaqur, por 90 për qind”, tha Benjamin Brafman, avokat i Martin Shkrelit.

Prokurorët argumentuan se Shkreli kishte mashtruar investitorët dhe kishte gënjyer për performancën e fondeve. Më pas kishte vjedhur më shumë se 11 milionë dollarë nga një tjetër kompani, që vet e kishte themeluar, “Retrofin”, për të ripaguar investitorët.

Shkreli kishte thënë gënjeshtra mbi gënjeshtra, përfshirë pretendimin se ai kishte 40 milionë dollarë në një prej fondeve të tij, në një kohë kur kishte vetëm 300 dollarë në bankë. Rasti ishte delikat për prokurorët, sepse investitorët, disa financierë të pasur nga Teksasi, thanë në proces se skema e Shkrelit i kishte bërë të pasur në disa raste, duke ua dyfishuar apo edhe trefishuar paratë.

Kjo bëri që avokatët mbrojtës të deklaronin se askush nuk kishte humbur asgjë, pasi disa nga investitorët kishin pranuar se bashkëpunimi me Shkrelin kishte qenë investimi më i madh që kishin bërë ndonjëherë.

Vet Shkreli nuk dëshmoi në gjyqin e tij, ndërkohë që ishte shumë i pranishëm në mediet sociale dhe para gazetarëve, gjë që bëri që gjykatësi t’i vendoste kufizime. Shkreli u bë i njohur në vitin 2015, kur “Turing” bleu të drejtat për të shitur “Daraprim”-in, një ilaç që daton që nga viti 1953 për trajtimin e një infeksioni të shkaktuar nga parazitët, dhe e shiti atë me 750 dollarë një pilulë, duke e shumëfishuar çmimin me 5.000 për qind.

Top Channel