Shoqata afroamerikane: Kujdes kur udhëtoni në Misuri

03/08/2017 00:00

Shoqata kombëtare për përparimin e njerëzve me ngjyrë i dërgoi një mesazh të fortë afroamerikanëve që udhëtojnë përmes shtetit të Misurit: merrni parasysh rrezikun.

Organizata që mbron njerëzit me ngjyrë publikoi një paralajmërim udhëtimi pasi autoritetet në Misuri miratuan një ligj që është cilësuar diskriminues. Megjithëse senati i Misurit e cilësoi ligjin 43 një arritje të madhe, mediat amerikane dhe shumë ekspertë thonë se ai e bën shumë të vështirë për punonjësit që të provojnë në gjyq se janë diskriminuar për arsye race apo gjinie.

Sipas Senatit të Misurit, ligji thjesht eliminon paditë e kota nga njerëz të paskrupullt. Por kjo nuk ka bindur aspak shoqatën kombëtare për përparimin e njerëzve me ngjyrë, e cila thotë se paralajmërimi që bëri për udhëtimin në Misuri është i pari histori.

Ligji i ri hyn në fuqi më 28 gusht, por organizata tha se shteti i Misurit ka histori të keqe me disktrimimin dhe ky ligj thjesht e vërteton këtë. Shoqata gjithashtu tha se nuk po i kërkon njerëzve që të mos shkojnë në Misuri, por të tregojnë të kujdesshëm dhe të kenë me vete edhe para për të paguar lirinë me kusht, pasi nuk është çudi që të ndalohen e të kontrollohen pa asnjë arsye, e madje edhe të arrestohen.

Top Channel